Futbolli për të Gjithë: Një Aktivitet Gjithëpërfshirës në Podujevë

Pas nënshkrimit të marrëveshjes për Gjithëpërfshirje në Sport mes Olimpiadës Speciale të Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit është zhvilluar ndeshje e futbollit mes personave me aftësi të kufizuara intelektuale në palestrën “Hakif Zejnullahu” në Podujevë.

Në këtë aktivitet morën pjesë mbi 30 të rinjë me dhe pa nevoja të veçanta në futbollin unifikues apo inkluziv.

Kishim nderin dhe kënaqësinë që në këtë aktivitet të jetë prezente edhe përfaqësuesja nga Olimpiada Speciale Ndërkombëtare, Martha Jo Braycich, kryetarja e Olimpiadës Speciale të Kosovës, Igballe Asllani Potera, drejtoresha Nacionale në Olimpiadën Speciale të Kosovës, Drita Dushi, drejtoresha për Sportin në Olimpiadën Speciale të Kosovës, Kimete Bekaj, kryetrajneri, Besnik Jashanica, kordinatori për SO Kosovo në Podujevë, Burim Muzaqi, trajnerët Mehmet Agushi dhe Bahri Osmani.

Të pranishëm ishin edhe trajnerë, mësimdhënës dhe shumë familjarë, të cilët panë nga afër me shumë entuziazëm fëmijët e tyre të përfshirë në këtë aktivitet. Prezenca e tyre tregon për dëshirën dhe vullnetin që ata kanë për të marrë pjesë në procesin e inkluzionit duke filluar me sport, për të vazhduar më tej në edukim dhe fushat tjera.

Në këtë aktivitet nuk munguan as drejtori i Arsimit në Podujevë, Avni Fetahu, zëdhënësi në Komunën e Podujevës, Fatri Zhitija, të cilët i falënderojmë përzemërsisht për prezencën.

Falënderojmë për prezencën edhe drejtorin e shkollës “Kongresi i Manastirit” në Gllamnik, Sadat Abdullahu, drejtorin e shkollës “Dr.Ibrahim Rugova”, Sheqir Krasniqi, drejtorin e shkollës “Shaban Shala”, Nusret Ismajli dhe të gjithë mësimdhënësit dhe familjarët e pranishëm.

Ju faleminderojmë për përkrahjen që na keni dhënë si dhe shpresojmë që kjo mbështetje nuk do të mungoj edhe në të ardhmen.